KREU I: DISPOZITA TË PËRGJITHSHME DHE STRUKTURA DREJTUESE
Neni 1. Organizatorët dhe Misioni
Edicioni i 14-të i Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar (FKFSH) organizohet nga kompania Iceberg Communication.
Festivali ka si mision promovimin dhe vlerësimin e veprave kinematografike shqiptare, krijimin e një platforme bashkëpunimi për kineastët, si dhe afrimin e artit filmik me publikun e gjerë.
Neni 2. Mbështetësit Financiarë dhe Partnerët
- Ky festival financohet nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK) dhe Bashkia Tiranë.
- Partnerët zyrtarë institucionalë përfshijnë: Universitetin e Arteve, Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) dhe Agjencinë e Industrisë Kreative.
- Lista e partnerëve dhe sponsorëve mediatikë e korporativë do të përditësohet në mënyrë dinamike deri në hapjen zyrtare të festivalit.
Neni 3. Drejtimi i Festivalit
- Drejtori i Festivalit: Drejtor i Edicionit të 14-të të FKFSH është z. Ilir Butka, i cili udhëheq ekzekutimin operativ, artistik dhe znj. Rafaela Rica, që ndjek aspektin administrativ të veprimtarisë.
- Presidenti i Festivalit: President i Festivalit do të jetë aktori i mirënjohur z. Ndriçim Xhepa. Ky vlerësim vjen në këtë moment të karrierës së tij si një vlerësim institucional për të, por njëkohësisht edhe për vetë festivalin dhe komunitetin e kineastëve.
Neni 4. Vendi, Ambientet dhe Zhvillimi
FKFSH do të zhvillohet në qytetin e Tiranës, në 3 vende të ndryshme dhe 4 salla, duke përfshirë:
- Universitetin e Arteve: Salla e Madhe e Koncerteve dhe Salla Black Box.
- Kinema Agimi.
- Kinema Piramida.
KREU II: KRITERET E PRANIMIT, APLIKIMIT DHE TARIFA
Neni 5. Kriteret e Pranimit
Mund të aplikojnë të gjithë producentët dhe autorët e filmave (Të gjatë Artistikë: Karriere dhe Vepër e Pare, Filma të Shkurtër, Dokumentarë, Animacion) të financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK) gjatë periudhës 2013–2026.
Neni 6. Tarifa e Aplikimit (Entry Fee)
Aplikimi në Edicionin e 14-të të Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar është tërësisht pa pagesë (Falas/No Entry Fee) për të gjithë producentët dhe autorët që përmbushin kriteret e pranimit.
Neni 7. Afatet e Aplikimit
Procesi i aplikimit do të ndjekë kalendarin zyrtar si më poshtë:
- Hapja e aplikimeve: 15 Maj 2026
- Mbyllja e aplikimeve: 30 Qershor 2026
KREU III: KATEGORITË KONKURRUESE DHE PROGRAMI SPECIAL
Neni 8. Kategoritë Konkurruese Zyrtare
Në konkurrim do të marrin pjesë katër (4) kategori të filmave:
- Filmi i Gjatë Artistik (i përbërë nga dy kategori të veçanta):
- a. Kategoria e Filmit të Gjatë Artistik – Film Karriere
- b. Kategoria e Filmit të Gjatë Artistik – Vepër e Parë
- Filmi i Shkurtër
- Filmi Dokumentar
- Filmi i Animuar
Neni 9. Rregullat e Veçanta për Regjisorët dhe Aplikuesit
- Për të gjithë regjisorët që kanë aplikuar me më shumë se një film për kategori në festival, u është kërkuar të zgjedhin filmin me të cilin duan të prezantohen në konkurrim.
Filmat e tjerë të tyre do të shfaqen, por nuk do të jenë pjesë e konkurimit.
- Ata regjisorë që kanë aplikuar me një film "Vepër e Parë" dhe një tjetër film "Karrierë", mund të konkurrojnë me të dy filmat në këto kategori të ndryshme.
Neni 10. Programi Special (Jashtë Konkurrimit)
- Do të marrin pjesë në festival edhe filma të zgjedhur në "Programin Special". Në këtë seksion do të marrin pjesë filma të zgjedhur nga organizatorët e festivalit.
- Në këtë seksion do të përfshihen filma që janë realizuar nga regjisorë shqiptarë apo të huaj që kanë të bëjnë me Shqipërinë, me historinë e saj apo me ndonjë tematikë të caktuar që organizatorët gjykojnë se përkon me interesin e shikuesit shqiptar.
- Këta filma mund të jenë filma të realizuar pa financimin e QKK-së.
Neni 11. Procesi i Seleksionimit
Profesionistë të kinematografisë, në bashkëpunim me organizatorët, do të veprojnë si selektorë për kategoritë e veçanta të festivalit, duke përzgjedhur produksionet më të mira të realizuara gjatë këtyre 14 viteve (2012–2026). Kjo është në varësi të aplikimeve. Nëse fluksi i aplikimeve nuk është i papërballueshëm, mund të shfaqen të gjithë filmat pa selektim.
KREU IV: JURITË ZYRTARE DHE PARANDALIMI I KONFLIKTIT TË INTERESIT
Neni 12. Përbërja e Jurive Zyrtare
Për çdo kategori do të ketë një juri të posaçme:
- Kategoria e Filmit të Gjatë Artistik: Juri e përbërë nga pesë (5) anëtarë.
- Kategoria e Filmit të Shkurtër: Juri me tre (3) anëtarë.
- Kategoria e Filmit Dokumentar: Juri me tre (3) anëtarë.
- Kategoria e Filmit të Animuar: Juri me tre (3) anëtarë.
Juritë e ndryshme që do të angazhohen në këtë edicion, do të operojnë mbi bazën e rregulloreve të tyre specifike.
Neni 13. Konflikti i Interesit dhe Rregulli i Abstenimit
Nëse një anëtar jurie ka bashkëpunuar në krijimin e një apo më shumë veprave pjesëmarrëse në konkurrim ose mund të ketë konflikt interesi me ndonjë prej tyre, ai do të abstenojë në vlerësimin e filmit duke ia lënë vendimmarrjen për atë film kolegëve të tij.
KREU V: ÇMIMET ZYRTARE DHE SHPËRBLIMET
Neni 14. Çmimet e Jurive Zyrtare
JURIA E FILMIT TË GJATË ARTISTIK
- Filmi më i Mirë i Gjatë i Karrierës
- Filmi më i Mirë i Gjatë/Vepër e Parë
Gjithashtu, juria do të zgjedhë fituesit e çmimeve të mëposhtme për Filmin e Gjatë në përgjithësi (pa ndarjen midis kategorisë së Karrierës dhe Veprës së Parë)
- Çmimi për Skenarin më të Mirë
- Çmimi për Drejtorin më të Mirë të Fotografisë
- Çmimi për Muzikën me te Mirë
- Çmimi për Producentin më të Mirë
- Çmimi për Aktoren më të Mirë
- Çmimi për Aktorin më të Mirë
JURIA E FILMIT TË SHKURTËR
- Filmi më i Mirë i Shkurtër
JURIA E FILMIT DOKUMENTAR
- Filmi më i Mirë Dokumentar
JURIA E FILMIT TË ANIMUAR
- Filmi më i Mirë i Animuar
Juritë kanë të drejtë të mos japin çmime atëherë kur nuk i gjykojnë të arsyeshme dhe mund të sugjerojnë çmime të tjera.
Neni 15. Trofetë dhe Shpërblimet Financiare të Çmimeve
- Të gjitha çmimet zyrtare shoqërohen me trofeun zyrtar të Festivalit dhe certifikatën përkatëse të meritës.
- Në rast se për kategori të caktuara sigurohen të ardhura nga buxheti i festivalit apo sponsorët, shpërblimi financiar për "Filmin më të Mirë" fitohet nga regjisori I filmit, ndërsa shpërblimet për çmimet profesionale u kalojnë drejtpërdrejt individëve përkatës.
KREU VI: NISMA "AKADEMIA" DHE VOTIMI I PROFESIONISTEVE
Neni 16. Koncepti dhe Filozofia e "AKADEMISË"
- Një Epokë e Re Vlerësimi: Ky edicion prezanton për herë të parë në Shqipëri procesin e votimit nga "AKADEMIA". Ky është një votim i dedikuar komponentëve artistikë, ku vetë profesionistët e industrisë do të kenë kompetencën të vlerësojnë kolegët e tyre, duke vendosur një standard të ri merite dhe solidariteti profesional.
- Festivali dhe Akademia: Festivali nuk pretendon të krijojë Akademinë Shqiptare të Filmit, por shpreson të ndikojë pozitivisht në nevojën e krijimit të kësaj akademie duke ftuar të regjistrohen nën këtë emërtim operatorët e industrisë së filmit në Shqipëri. Nën menunë "Akademia" në faqen web mund të gjeni në formën e propozimit procedurën e krijimit të Akademisë, sipas idesë sonë.
- Vetë regjistrimi vullnetar i mbi 40 kineastëve në Seksionin AKADEMIA tregon mbështetjen që komuniteti i jep krijimit të këtij instrumenti të rëndësishëm në ekosistemin tonë kinematografik.
Akti formal i krijimit të Akademisë mund të iniciohet me aprovimin e 1/3 të anëtarëve të regjistruar në faqen web të festivalit dhe të vendosin për rrugën që duhet ndjekur për konkretizimin e kësaj nisme. Në stadin aktual grupimi i përfaqësuesve të industrisë së filmit, ndonëse në versionin informal, ka të gjithë të drejtën të votojë për filmat dhe komponentët e tyre.
Neni 17. Çmimet e Profesionistëve të "AKADEMISË"
- Ndryshe nga Juria Zyrtare, Akademia e Filmit vlerëson të gjithë filmat pjesëmarrës në festival, pa kufizimin e përzgjedhjes individuale nga regjisorët. Çdo film i shfaqur në programin e festivalit, pjese e konkurrimit zyrtar ose jo, gëzon të drejtën të gjykohet nga anëtarët e Akademisë.
Anëtarët e regjistruar në AKADEMI do të votojnë për ndarjen e 19 çmimeve profesionale:
- 1. Çmimi për Regjisorin më të Mirë
- 2. Çmimi për Producentin më të Mirë
- 3. Çmimi për Aktorin më të Mirë
- 4. Çmimi për Aktoren më të Mirë
- 5. Çmimi për Aktorin më të Mirë Mbështetës
- 6. Çmimi për Aktoren më të Mirë Mbështetëse
- 7. Çmimi për Skenarin më të Mirë
- 8. Çmimi për Drejtorin më të Mirë të Fotografisë
- 9. Çmimi për Muzikën më të Mirë
- 10. Çmimi për Montazhin më të Mirë
- 11. Çmimi për Skenografinë dhe Vendet e Xhirimit
- 12. Çmimi për Kostumet më të Mira
- 13. Çmimi për Produksionin më të Mirë
- 14. Çmimi për Filmin më të Mirë të Shkurtër
- 15. Çmimi për Filmin më të Mirë Dokumentar
- 16. Çmimi për Filmin më të Mirë të Animuar
KREU VII: ÇMIMI I PUBLIKUT DHE METODOLOGJIA E VOTIMIT
Neni 18. Kategoritë dhe Procedura e Votimit të Publikut
- Njëlloj si në rastin e Akademisë, Votimi i Publikut përfshin të gjithë filmat pjesëmarrës në program pa asnjë përjashtim apo kufizim sasior për autorët.
- Votimi i publikut do të realizohet përmes një sistemi të lidhur me platformën web të festivalit, me verifikim unik përdoruesi, për të parandaluar votimet e dyfishta.
- Publiku do të zgjedhë fituesit për kategoritë e mëposhtme:
- Çmimi i Publikut – Filmi më i Mirë i Gjatë i Karrierës
- Çmimi i Publikut – Filmi më i Mirë Vepër e Parë
- Çmimi i Publikut – Filmi më i Mirë i Shkurtër
- Çmimi i Publikut – Filmi më i Mirë Dokumentar
- Çmimi i Publikut – Filmi më i Mirë i Animuar
KREU VIII: SPECIFIKIMET TEKNIKE, SUBTITRAT DHE VERIFIKIMI (TECH CHECK)
Neni 19. Formati Teknik i Projeksionit
Filmat e përzgjedhur duhet të disponohen detyrimisht në formatet profesionale të kërkuara nga Organizatorët.
Neni 20. Gjuha e Projeksioneve dhe Subtitrat
- Të gjithë filmat shqiptarë pjesëmarrës në konkurrimin e Filmit të Gjatë Artistik duhet të dorëzohen detyrimisht me subtitra në gjuhën angleze, me qëllim lehtësimin e vlerësimit nga anëtarët e huaj të jurive dhe ndjekjen nga të ftuarit ndërkombëtarë.
- Filmat e përzgjedhur në Programin Special që janë në gjuhë të huaj duhet të jenë të
shoqëruar me subtitra në gjuhën shqipe.
- Të vetmit filma që përjashtohen nga të tria sistemet e vlerësimit (Juria Zyrtare, Akademia dhe Publiku) janë filmat e përfshirë në Programin Special.
- Konsiderohen pjesë e Programit Special dhe nuk i nënshtrohen vlerësimit të gjitha ato vepra të cilat shfaqen në festival, por nuk janë të financuara nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK).
Neni 21. Verifikimi Teknik i Kopjeve (Tech Check)
- Producentët duhet të dorëzojnë kopjen përfundimtare të shfaqjes të paktën 7 ditë përpara datës së hapjes së festivalit.
- Ekipi teknik i festivalit do të kryejë një testim të detyrueshëm të figurës dhe zërit ("Tech
Check") në sallat përkatëse jo më vonë se 48 orë përpara shfaqjes zyrtare.
KREU IX: KATALOGU, MATERIALET PROMOVUESE DHE TË DREJTAT MEDIATIKE
Neni 22. Katalogu Zyrtar dhe Dokumentacioni
Të gjitha materialet e kërkuara për katalogun zyrtar (sinopsi shqip/anglisht, cast & crew,
biografia dhe filmografia e regjisorit, fotot e regjisorit dhe aktorëve, kuadro nga filmi, posteri zyrtar) duhet të dërgohen brenda afatit të caktuar pas procesit të aplikimit dhe komunikimit me organizatorët.
Neni 23. Materialet Promovuese dhe Zyra e Shtypit
Producentët dhe autorët e filmave duhet të dorëzojnë materialet promovuese për web dhe shtyp (imazhe digjitale HD, trailera zyrtarë, klipe audio, etj.) në momentin që do të kërkohen nga sekretaria e festivalit.
Neni 24. Të Drejtat e Transmetimit Televiziv dhe Promovimit Mediatik
- Me aplikimin në festival, producentët i japin të drejtën organizatorëve dhe partnerit mediatik zyrtar të transmetojnë spote promovuese, trajlera dhe fragmente të filmit (deri në 3 minuta) në televizion, radio dhe platformat digjitale për qëllime të promovimit të festivalit.
- Festivali dhe Partneri Mediatik gëzojnë të drejtën e transmetimit të drejtpërdrejtë ose të regjistruar të Ceremonisë se Hapjes së Festivalit dhe Ceremonisë së Ndarjes së Çmimeve pa pagesë shtesë për të drejtat e autorit.
KREU X: MIKPRITJA, DELEGACIONET DHE DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 25. Mikpritja, Akreditimet dhe Protokolli
Organizatorët do të lëshojnë akreditime zyrtare (Passes/Badges) për të gjithë anëtarët e trupave artistike dhe teknike të filmave të përzgjedhur. Producentet duhet të dërgojnë në sekretarinë e festivalit emrat e stafeve të tyre që kerkojnë të pajisen me (Passes/Badges)
Neni 26. Ligjshmëria dhe Pranimi i Rregullores
- Pjesëmarrja në festival nënkupton pranimin e plotë dhe pa rezerva të kësaj rregulloreje.
- Është përgjegjësi ekskluzive e producentëve, distributorëve ose palëve aplikuese të sigurohen që janë të autorizuar ligjërisht për të përfaqësuar veprën në festival dhe se zotërojnë të gjitha të drejtat e autorit (përfshirë muzikën dhe arkivat).
- Aplikuesit me anë të nënshkrimit ose konfirmimit të aplikimit demonstrojnë dakordësinë e tyre me organizatorët lidhur me hapësirën, vendin, kohën dhe teknologjinë e prezantimit të filmit.
Neni 27. Zgjidhja e Mosmarrëveshjeve dhe Kompetencat
- Organizatorët e festivalit rezervojnë të drejtën të zgjidhin çdo rast specifik që nuk parashikohet në këtë rregullore dhe të përditësojnë nenet e saj në mënyrë dinamike me qëllim përmirësimin dhe mbarëvajtjen e aktivitetit.
- Organizatorët angazhohen të zgjidhin me mirëkuptim çdo mosmarrëveshje. Në mungesë të mirëkuptimit, organizatorët gëzojnë të drejtën diskrecionale të tërheqin filmin nga prezantimi ose konkurrimi në këtë event.
PYETJE TË SHPESHTA
Kush mund të aplikojë në festival?
Mund të aplikojnë të gjithë producentët dhe autorët e filmave (Artistikë, Dokumentarë, Animacion) të financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë gjatë periudhës 2013–2026.
A ka tarifë aplikimi?
Jo. Aplikimi në Edicionin e 14-të është tërësisht pa pagesë (Falas / No Entry Fee) për të gjithë producentët dhe autorët që plotësojnë kriteret e pranimit.
Cilat janë afatet e aplikimit?
Hapja e aplikimeve: 15 Maj 2026. Mbyllja e aplikimeve: 30 Qershor 2026.
Ku dhe kur zhvillohet festivali?
Festivali zhvillohet në Tiranë, nga 3 deri më 12 Shtator 2026, në disa salla, përfshirë Universitetin e Arteve, Kinema Agimi dhe Kinema Piramida.
Cilat janë kategoritë konkurruese?
Katër kategori: Film i Gjatë Artistik (me nënkategoritë Karrierë dhe Vepër e Parë), Film i Shkurtër, Film Dokumentar dhe Film i Animuar.
Si vlerësohen filmat?
Përmes tri sistemeve të pavarura: Juria Zyrtare, Vlerësimi i Akademisë së Filmit dhe Vota e Publikut.